PLANI PËR PRONARËT- Shqipëria Fiton

Voto ndryshimin. Voto Nr 9.  Voto Partinë Demokratike. Voto Bashën.

PLANI PËR PRONARËT

Programi për pronat është një stacion shumë i rëndësishëm pas një dialogu që ka nisur prej kohësh mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të përfaqësuesve të pronarëve legjitimë, të shpronësuar gjatë regjimit komunist.
Qëndrimet tona kanë qenë të qarta dhe të prera për padrejtësitë e dyfishta që rëndojnë në kurrizin e pronarëve prej vitit 2013.
Ne e konsiderojmë ligjin e qeverisë Rama një shpronësim të dytë antikushtetues, antiligjor. Që ditën e parë të kalimit të atij ligji, jemi zotuar se do ta shfuqizojmë atë. Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën tonë deri në instancat më të larta të Strasburgut për të shfuqizuar çdo efekt me parapaveprim të këtij ligji çnjerëzor, i cili i vë një damkë të dyfishtë turpi trashëgimisë së kundërshtarit tonë politik dhe qeverisë në ikje të kryeministrit Rama.

Damkën e parë, sepse po i trajton edhe një herë pronarët legjitim si qytetarë të rangut të dytë, njësoj si gjatë diktaturës komuniste.
Damkën e dytë të turpit, se këtë po e bën jo vetëm për motive të vazhdimësisë ideologjike, por për arsye korruptive, për të vazhduar zaptimin dhe tjetërsimin e pronave të pronarëve nga bregdeti në zonat urbane, nga zonat bujqësore në kullotat apo kudo tjetër dhe për të vazhduar sundimin e një grushti njerëzish, oligarkë në kurriz të të gjithë qytetarëve pa dallime politike.

E kam përsëritur dhe e përsëris sërish ndjesën në emër të PD për kalvarin 30 vjeçar të pronarëve. E them këtë me vetëdijen se as të përndjekurit dhe as pronarët nuk kishin dhe nuk kanë ku ta kërkojnë drejtësinë e munguar këto 30 vite përveçse tek shtëpia e lirisë, që është Partia Demokratike.
Këtë ndjesë e kemi shoqëruar me gatishmërinë tonë për të hedhur të gjitha hapat e nevojshëm politikë, ligjorë dhe financiarë për të korrigjuar dhe zgjidhur problemet e shkaktuar gjatë këtyre viteve dhe të akumuluara e të shumëfishuara gjatë qeverisjes së padrejtë dhe grabitqare të këtyre tetë viteve.
Ju siguroj se, pas 25 prillit, qeveria e zgjedhur me votën tuaj dhe e kryesuar nga Partia Demokratike dhe unë, do të kemi vullnetin që ndjesën për problemet e pazgjidhura dhe problemet e shtuara t’i kthejmë në angazhime konkrete me një plan konkret, i cili do të nisë nga zbatimi menjëherë.

Unë nuk kam marrë dhe nuk mund të marr zotime të parealizueshme apo të realizueshme pas 30, 40, apo 50 vjetësh, por vetëm ato të cilat ne e dimë se me vullnet politik mund dhe duhet të kryhen, duke ju parë në sy dhe duke rakorduar bashkërisht, gjithçka, deri në finalizimin e secilit prej angazhimeve të parashikuara në planin tonë.
Familja, prona dhe liria janë tre vlera mbi të cilat qendron Partia Demokratike dhe tre shtylla rreth të cilave është ndërtuar progresi i jashtëzakonshëm i vendeve të BE-së, të cilët dëshirojmë t’i përkasim.
Më lejoni fare shkurtimisht të prezantoj para jush qëndrimet tona sa i përket programit politik të Partisë Demokratike dhe zbatimit të këtij programi pas zgjedhjeve të 25 prillit. Ky program është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e pronarëve të shpronësuar dhe sot dua të konfirmoj angazhimin tonë për realizimin dhe përmbushjen e parimeve referuar detyrimeve kushtetuese sa më poshtë:
 T’i jepet fund debatit të padrejtë, të gjatë dhe hipokrit mbi pronat dhe krijimit të menjëhershëm të një sistemi dhe mekanizmi të besueshëm që do të shërbejë për këtë qëllim. Ne do të sigurojmë që procesi i trajtimit të çështjeve të pronës do të jetë transparent dhe do të jetë më efiçensë të plotë ndaj pronarëve dhe interesit publik të qytetarëve shqiptarë.
Ne do të abrogojmë ligjin aktual të pronave dhe të gjitha aktet nënligjore në fuqi që janë të pandershme dhe do të marrim nismën për hartimin e një kuadri ligjor të konsoliduar që jep zgjidhje çështjes së trajtimit të pronësisë.
Shfuqizim tërësor i ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë dhe akteve nënligjore sa i takon përfundimit të procesit kalimtar të trajtimit të pronës. Kuadri i ri për çështjet e pronësisë do të jetë guri i themelit mbi të cilin do të ngrihet trajtimi nga qeveria kundrejt pronës private të pakthyer, pronës private të individit dhe pronës publike të nëpërkëmbur.
Në emër të Partisë Demokratike angazhohem se kuadri i ri ligjor do të reflektojë parimet themelore ku prioritetet do të jenë:

  •  Kthimi i pronës
  • Kompensimi fizik, pra në natyrë i pronës apo pjesëmarrje me obligacione në fondet e investimeve publike sipas marrëveshjes me pronarët e shpronësuar.
  •  Garantimi dhe respektimi i titujve të pronësisë referuar një vendimi të formës së prerë administrative apo gjyqësore, të cilët në asnjë rast nuk do të preken pa një proces të rregullt ligjor.
  •  Garantimi i ekzekutimit të veprimeve përfundimtare të kompensimit të pronës të paekzekutuara, duke iu referuar zërit kadastral të përcaktuar në to.
  • Përfshirja në fondet e kompensimit fizik të pronave të konfiskuara për efekt të ligjit anti-mafia përfshirë edhe rastet e kontratave PPP apo koncesioneve korruptive.
  • Kërkesat e patrajtuara do t’i nënshtrohen ligjit në fuqi në kohën e depozitimit të kërkesës në agjenci, ndërsa ekzekutimi do të kryhet në të njëjtën skemë si rastet e ekzekutimit të vendimeve të tjera përfundimtare. Kërkesat e reja që nuk janë paraqitur më parë do të trajtohen në frymën e ligjit të ri.
  • Pronarët do të shkarkohen nga kostot administrative si dhe tarifat dhe taksat gjyqësore në proceset administrative dhe gjyqësore të cilat do të mbarten nga shteti.
  • Ne jemi të bindur që drejtësia është në themelin e çdo veprimi të mirëqeverisjes ndaj angazhohemi që të rishikojmë hartën e vlerës së pronës që do të jetë unike për të gjitha rastet e trajtimit të pronës.
  • Ne angazhohemi që në përfundimin e procesit të legalizimit, të filluar prej vitesh, duke i garantuar pronarëve kompensimin e plotë dhe të drejtë të pronës, të bëjmë të mundur plotësimin e një prej objektivave të këtij ligji. Fondi i kompensimit të legalizimit do të jetë më vete, në zbatim të ligjit të pronës.

Sot shqiptarët zotërojnë prona që nuk janë të sigurta. Sot shqiptarët janë në akthin dhe pasigurinë se prona e tyre keqpërdoret nga qeveria e cila ka ndërtuar me vetëdije, me plan një sistem kaotik për qëllime përfitimi të një grupi të vogël njerëzish ortakësh të kryeministrit dhe një grushti pushtetarësh.

  • Ne angazhohemi se do të rregullojmë kuadrin ligjor në lidhje me ato raste të interesit publik që preken në mënyrë të qartë dhe shteruese, duke përcaktuar njëherë e mirë kriteret vlerësuese për kompensimin e pronës për investime të tilla publike ne besojmë se do t’i jepet fund abuzimit me pronën në kurriz të një investimi publik dhe në këtë kuadër angazhohemi për rishikimin e ligjit përkatës, i cili ka hapur të gjitha hapësirat për abuzivizëm në kurriz të pronarëve të ligjshëm dhe zbatimin e të gjitha parimeve kushtetuese dhe detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të Konventës Europian të të Drejtave të Njeriut për shenjtërinë e pronës private.
  • Si pjesë e angazhimit tonë është edhe ndërtimi i një sistemi të rregullt për t’i dhënë fund kaosit kadastral, i cili pamundëson vërtetimin ligjor të pronës për qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë të pamundur ta përdorin këtë pronë si kolateral apo të fitojnë të ardhura prej pronës duke penguar vendin vit për vit që të përfitojë miliona nga tregu, madje duke shkaktuar humbje, të cilat përllogariten sipas institucioneve ndërkombëtare në qindra milionë euro dhe dhjetëra mijëra vende pune të humbura si rezultat i këtij kaosi me regjistrimin e pronave.

Tregu i pasurive të paluajtshme është në zgrip të dështimit për shkak të procedurave të vështira, të komplikuara, jo transparente dhe të tejzgjatura të regjistrimit. Qytetarët janë pamundësuar të ekzekutojnë të drejtën e tyre themelore. Pronarët janë penguar të bëjnë transaksione me pronën e tyre, një liri themelore dhe antike sa vetë qytetërimi.

  • Prona dhe liria ecin dorë më dorë me njëra tjetrën. Prona nuk mund të kuptohet pa lirin po as liria nuk mund të kuptohet pa pronën. Pasuritë e paluajtshme në këtë mënyrë janë kthyer në një makth në vend që të ktheheshin në një burim atraksioni për investimet e brendshme dhe të huaja.
  • Ne angazhohemi në përfundimin e procesit të konsolidimit të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe krijimin e një harte unike kadastrave me mbulimin në gjithë territorin e vendit dhe finalizimin e regjistrimit të titujve të pronësisë.
  • Ashtu si për çdo fushë tjetër, edhe në këtë fushë, qytetarët shqiptarë përballen me sorollatje nga një zyrë në tjetrën me arrogancën e pushtetin, me mungesën e koordinimit ndër institucional, me mohimin flagrant dhe harbut të së drejtës elementare të informimit dhe me korrupsionin në çdo nivel të administratës ku përballen për të zgjidhur çështjet e tyre të pronësisë.
  • Me reformën tonë të derregullimit do t’i japim fund një situate paradoksale. Mbi një mijë zyrtarë të shtetit mbajnë në xhep vula dhe kanë të drejtën e firmës për gjithçka që ka të bëjë me jetën e shqiptarit, që nga momenti që del nga shtëpia deri në momentin kur hyn në shtëpi, madje edhe brenda shtëpive të tyre.
  • Ne do t’i japim fund sorollatjes të qytetarëve nëpër zyrat e shtetit, në kërkim të të drejtave të tyre legjitime të pronësisë të cilat shteti as nuk mund t’i tjetërsojë, as t’i fshehë, as t’i dhunojë, por ka detyrën t’i garantojë.
  • Në fokus do të jetë koordinimi i institucioneve shtetërore që merren me pronën si dhe thjeshtësimi në përputhje me praktikat më të avancuara europiane i procedurave në lidhje me çështjet e pronës dhe reduktimi me qëllim zhdukjen e nivelit galopont të korrupsionit, që është një nga motivet kryesore pse kemi mbërritur në këtë pikë.
  • Krijimi i një agjencie ombrellë që përfshin të gjitha agjencitë që kanë në fokus pronën private dhe publike dhe kontrolli antikorrupsion brenda kësaj agjencie, adresimi i çështjeve të abuzimit me pronën në SPAK duke e kthyer tek pronari i ligjshëm, janë prioritete të qeverisjes tonë të ardhshme.

Dua ta mbyll duke garantuar të gjithë pronarët e shpronësuar, gjithë pronarët e ligjshëm, shoqatat e pronarëve se Partia Demokratike do të bashkëpunojë ngushtësisht me ju dhe me përfaqësuesit tuaj në zbatimin e këtij programi politik, në hartimin e masave dhe vendimeve që kanë lidhje me çështjet e pronësisë duke e mbajtur të informuar njëri-tjetrin me një dialog të vazhdueshëm për çdo iniciativë që do të ndërmarrim deri në zgjidhjen përfundimtare sipas angazhimeve të sipërpërmendura.      

Partia Demokratike e Shqipërisë. Të gjithë të drejtat e rezervuara.

to top